Një aeroplan ushtarak i Forcave Ajrore të Kolumbisë është rrëzuar në jug të vendit, duke shkaktuar dhjetëra viktima. Autoritetet thonë se në bord kishte edhe municion, i cili shpërtheu pas përplasjes, ndërsa presidenti Petro ka kritikuar procedurat burokratike që, sipas tij, kanë penguar modernizimin e flotës ushtarake.
Një aeroplan ushtarak i Forcave Ajrore të Kolumbisë është rrëzuar në pjesën jugore të vendit pak pas ngritjes nga Puerto Leguízamo, afër kufirit me Perunë. Të paktën 66 persona kanë humbur jetën nga gjithsej 125 që ndodheshin në bord, përfshirë edhe anëtarët e ekuipazhit.
Aeroplani, model C-130 Hercules, prodhim amerikan dhe i përdorur për transportimin e trupave ushtarake, u rrëzua gjatë fazës së ngritjes. Ministri kolumbian i Mbrojtjes, Pedro Sanchez, tha se mjeti ajror kishte të ngarkuar edhe municion, i cili shpërtheu si pasojë e zjarrit pas aksidentit.
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, reagoi në platformën X duke e cilësuar ngjarjen “aksident të tmerrshëm që nuk është dashur të ndodhë”. Ai kritikoi problemet burokratike që, sipas tij, kanë penguar planet për modernizimin e pajisjeve dhe aeroplanëve të forcave të armatosura.
Muajin e kaluar, një aeroplan i njëjtë C-130 i Forcave Ajrore të Bolivisë, që po transportont bankënota, u rrëzua në pjesën perëndimore të vendit, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 20 personave.


