Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka njoftuar se kanë pezulluar kërkimet për personin e zhdukur në Burrel, aksident ky i cili ishte shkaktuar nga rrëshqitja e dheut në një fabrikë të pasurimit të kromit.
Në njoftimin e tyre thuhet se kërkimet janë pezulluar për shkak të të rrezikshmërisë së lartë në terren, transmeton Telegrafi.
“Më datë 03.05.2025, kemi pranuar një thirrje për ndihmë në pjesën veriore të Shqipërisë, në Burrel, lidhur me një aksident të shkaktuar nga rrëshqitja e dheut në një fabrikë të pasurimit të kromit. Aksidenti ishte shkaktuar nga një vërshim uji nga një prej rezervuarëve ujëmbledhës, i cili kishte rrëmbyer një mjet pune, dhe dyshohej se bashkë me të ndodhej edhe një person i zhdukur.
Një skuadër nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, në bashkëpunim me Shërbimin e Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik të Shqipërisë, u nis menjëherë drejt vendngjarjes”, thuhet në njoftimin e tyre.
Po ashtu, theksohet se pas inspektimit fillestar të zonës, u realizua një kërkim i kujdesshëm, por për shkak të rrezikshmërisë së lartë në terren, të gjitha procedurat e mëtejshme u pezulluan.
“Kërkimi dhe vlerësimi i terrenit vazhdoi edhe më datë 04.05.2025, ku u konstatua se çdo veprim tjetër operacional paraqiste rrezik serioz për ekipet e angazhuara. Për këtë arsye, u mor vendimi për të pezulluar operacionin deri në një informacion të dytë nga strukturat shtetërore”, bëhet e ditur në njoftim.
Gjithashtu, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor njofton se janë në koordinim të vazhdueshëm dhe kontakt të drejtpërdrejtë me të gjitha autoritetet shtetërore për të vlerësuar kushtet dhe për të mundësuar vazhdimin e operacionit në momentin e parë të përshtatshëm.
Ndryshe, shembja e inerteve zuri poshtë 29-vjeçarin Ardit Beshiri teksa po punonte me fadromë për sistemimin e mineralit të kromit, i cili përpunohej në fabrikën e pasurimit në Qafë Burrel, e cila menaxhohej nga një kompani kineze. Ngjarja ndodhi të shtunën e kaluar.
Ndërkohë, për gjetjen e trupit të 29-vjeçarit kanë nisur kërkimet prej tre ditësh, por ende pa rezultat, pasi pajisjet e kërkimit nuk po e lokalizojnë vendin për shkak të masivit të madh të mineralit. /