Ministri për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi njofton se pas marrëveshjeve të nënshkruara, ka filluar puna për projektet në fshatrat dhe lagjet e banuara nga komunitetet.
Krasniqi thotë se Lagjet, ‘Sallahane’, ‘Halit Ibishi’ në Ferizaj, fshatrat ‘Treboviq’, ‘Pavlan’ dhe ‘Katund i Ri’, në Pejë, fshatrat ‘Prapaqan’ në Deçan e fshatrat ‘Makresh – Draganc’ si dhe ‘Llapjan – Koznic’ në Novobërd janë vetëm disa nga shumë projektet e financuara nga MAPL me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës në fshatrat dhe lagjet e banuara nga komunitetet.
Ai shton se projektet përfshijnë ndërtimin e trotuarit, kanalizimit, ndriçimit publik dhe rregullimin e hapësirave publike në këto lokalitete, duke synuar kushte më të mira për qytetarët tanë.
Komunat përfituese nga ky program janë, Ferizaji, Klina, Novobërda, Mamusha, Graçanica, Peja, Istogu, Gjakova, Prizreni dhe Deçani.
Ministri Krasniqi po ashtu njofton se javën e ardhshme do të nënshkruhen marrëveshjet e tjera me Komunat përfituese nga programi për zhvillim socio-ekonomik dhe bashkëpunim ndërkomunal.