Përkeqësimi i situatës së sigurisë në Turqinë jugore ka ndërprerë përpjekjet e shpëtimit pas tërmetit vdekjeprurës të së hënës, kanë thënë grupet ndërkombëtare, shkruan BBC.
Punonjësit gjermanë të shpëtimit dhe ushtria austriake ndërprenë operacionet e kërkimit, duke përmendur si arsye përleshjet midis grupeve të paidentifikuara.
Ka pasur edhe raportime për grabitje.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se do të përdorte fuqitë emergjente për të ndëshkuar këdo që shkel ligjin.
Numri i të vdekurve nga tërmetet në Turqi e Siri ka kaluar tashmë 25 mijë dhe shpresa po shuhet për të gjetur më shumë të mbijetuar nën rrënoja, pavarësisht rasteve të caktuara ku njerëzit shpëtohen mrekullisht.
Pati raportime herët të shtunën se përleshjet midis grupeve të paidentifikuara në provincën Hatay kishin lënë jashtë dhjetëra zyrtarë nga Njësia e Ndihmës ndaj Fatkeqësive të Forcave Austriake që kërkonin strehim në një kamp bazë me organizata të tjera ndërkombëtare.
“Ka agresion në rritje midis fraksioneve në Turqi”, ka thënë në një deklaratë nënkoloneli Pierre Kugelweis i Forcave të Armatosura Austriake. “Shanset për të shpëtuar jetë nuk kanë asnjë lidhje të arsyeshme me rrezikun e sigurisë”.
Ky vlerësim u bë jehonë nga dega gjermane e grupit të kërkim-shpëtimit ISAR, e cila, së bashku me Agjencinë Federale të Gjermanisë për Ndihmën Teknike (TSW), gjithashtu pezulluan operacionet.
“Ka gjithnjë e më shumë raportime për përleshje midis fraksioneve të ndryshme, gjithashtu ka pasur të shtëna”, ka thënë zëdhënësi i ISAR, Stefan Heine.
Ministria e Mbrojtjes e Austrisë ka thënë më vonë se ushtria turke kishte ndërhyrë për të ofruar mbrojtjen e saj, duke lejuar që operacionet e shpëtimit të vazhdonin.


