Kombëtarja e Kosovës i ka nisur sot përgatitjet për dy ndeshjet miqësore të muajit qershor, ku lajmi i fundit është se mbrojtësi i Prishtinës, Ron Raçi është ftuar nga lista rezervë.
Dardanët do të përballen me Armeninë, më 6 qershor, në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa tri ditë më vonë, në të njëjtin stadium, kundër Komoreve.
Kosova synon që me këto miqësore të përgatitet sa më mirë për ciklin kualifikues të Botërorit, që do të fillojë në muajin shtator.
Sot, pasdite Ron Raçi është ftuar nga përzgjedhësi Franco Foda, nga lista rezervë.
Ai në sezonin e parë te Prishtina, fillimisht nuk u llogaritë fare, por që në debutimin e tij, ai zuri vend dhe nuk e lëshoi për asnjë moment, duke festuar në fund edhe triumfin në Kupën e Kosovës.
Në total kishte 31 paraqitje në të dyja garat, ku shënoi dy gola dhe asistoi një herë, teksa ishte një nga mbrojtësit me më së shumti topa të rikuperuar.