Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka theksuar përparimin e dukshëm në drejtim të funksionalizimit të tregut të hapur të energjisë elektrike në Kosovë. Ajo njoftoi se sipas raportit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), aktualisht janë 6 furnizues aktivë, ndërsa 5 prej tyre kanë paraqitur tashmë oferta konkrete për biznese.
“Numri i licencave për furnizim ka arritur në 21, duke reflektuar një interesim të shtuar, përfshirë edhe kompani rajonale,” deklaroi Rizvanolli gjatë një takimi me prodhues vendorë dhe odat ekonomike.
Ky takim, i radhës në serinë e diskutimeve për tregun e liberalizuar të energjisë, kishte për qëllim të informojë dhe përgatisë komunitetin e biznesit për operim të sigurt dhe të pavarur në kushtet e reja të tregut.
Në takim, përvojën e saj si kompani që operon në treg të hapur që nga viti 2017 e ndau SharrCem, ndërsa Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ofroi sqarime lidhur me rolin e “furnizuesit të mundësisë së fundit” për konsumatorët që ende nuk kanë kontratë.
Rizvanolli theksoi se Qeveria do të vazhdojë të jetë pranë bizneseve me mbështetje konkrete dhe praktike, për të siguruar që ato të marrin vendime të informuara dhe të mos përballen të vetme me sfidat e liberalizimit të tregut.
Takimi i radhës do të zhvillohet me vetë furnizuesit e energjisë, me synim rritjen e transparencës dhe përmirësimin e kushteve për të gjithë pjesëmarrësit në treg.