Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se zbatimi i Marrëveshjes për Programin Kompakt me MCC-në do të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ministrja Rizvanolli, në një pronocim për RTK-në pas ceremonisë së nënshkrimit, ka thënë se ka qenë kënaqësi dhe nder për të që ka qenë në udhëheqje të procesit të këtij projekti në vitin e fundit dhe që e ka bërë nënshkrimin e kësaj marrëveshje në praninë e kongresmenëve amerikanë dhe presidentes Osmani e kryeministrit Kurti.
“Është kënaqësi që e nënshkruam marrëveshjen. Me këtë rast dua të falënderoj të gjithë ata që kanë punuar në zhvillimin e Programit Kompakt. Është një shenjë e mirë që kjo u bë në Kongresin amerikan dhe është një shenjë e shkëlqyeshme e marrëdhënieve dhe partneritetit tonë. Marrëveshja do të ratifikohet në kohë rekorde në Kuvendin e Kosovës. Jemi dakorduar, ka qenë kërkesë e kryeministrit Kurti dhe MCC-në është pajtuar që fillimi i zbatimit të këtij programi të jetë sa më herët që të jetë e mundur, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij projekti për vendin tonë“, ka theksuar Rizvanolli.