Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka pyetur opozitën se pse kanë folur rrallë për politikat që i ka ndërmarrë në sektorin e energjisë e shpesh për tenderët. Ndër të tjerash ajo ka përmendur edhe sukseset e KEK-ut.
Rizvanolli ka thënë se në dy vjetët e ardhshme, me investimet që po bëhen, KEK-u do të sigurojë që termocentralet të jenë në funksion për 20 vjet.
“Dje Bordi i KEK-ut ka pezulluar nga detyra kryeshefin Menjëherë pas kësaj, mbrëmë kemi vizituar termocentralet e kek-ut ku u informuam me mbarëvajtjen e punëve. KEK-u ka mbyllur vitin e kaluar me shumë suksese me fitim rekord. Sivjet dhe dy vjetët e ardhshme jemi në një periudhë kritike në KEK, sepse me investimet që po bëjmë do të sigurojmë që termocentralet të jenë në funksion për 20 vjetët e ardhshëm. Dua të ju siguroj që ME është duke angazhuar që ndërmarrja të vazhdojë me sukses. Desha ta pyes një pjesë të opozitës, pse gjatë këtyre dy vjetëve keni folur aq rrallë për politikat e aq shpesh për tenderët. Pse i dini kaq në detaje. Por nuk po i pyes se unë kam jetuar këtu, ju njoh, ju njohin edhe të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë ajo.
Kësaj iu kundërpërgjigj deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, i cili ka thënë se detajet e kontratave i marrin vesh në platformën online të e-prokurorimit.