Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se nuk ka pasur asnjë moment kur KEK-u ka prodhuar zero megavat në orë, ose që Kosova në ndonjë moment ka qenë në kolaps energjetik.
Në një konferencë për media, ministrja në detyrë tha se kanë sfida në sektorin energjetik, sepse sipas Rizvanollit, siguria furnizimit varet nga termocentralet 62 e 42 vjeçare, sepse nuk janë bërë kurrë rehabilitime të tyre.
“Një arsye pse që nga prilli nuk i kemi në funksion të gjitha blloqet është sepse për herë të parë në termocentralin “Kosova B” po i modernizojmë turbinat dhe rrjedhimisht blloku B2 është jashtë funksionit për tu kryer këto operime për gati 6 muaj. Kjo është një sakrificë e përkohshme, por e domosdoshme, dhe duhet ta bëjmë tash, sepse nuk e kanë bërë me kohë kur çmimet e importit kanë qenë trefish më të lira. Po thuhet ndër të tjera që këto janë remonte të rregullta që po bëhen në termocentralin “Kosova B” e që janë bërë gjithmonë. Kjo nuk është e saktë. Këto po bëhen për herë të parë, janë bërë intervenime të vogla qindra tenderë që kanë kushtuar në total mbi 1 miliard euro, por kurrë nuk janë bërë rehabilitime e modernizime të tilla siç po i bëjmë tani”, tha në konferencë Rizvanolli.
Ajo tha se për herë të parë në termocentralin “Kosova B” po bëjnë modernizimin e turbinave, vendosjen e filterëve dhe një sërë investimesh përcjellëse që, sipas saj, do ta rrisin kapacitetin për 80 megavat dhe do ta ulin dukshëm ndotjen.
Rizvanolli: Tregtimi në linjat mes Kosovës e Serbisë është i bllokuar që nga pavarësimi energjetik i Kosovës
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvaolli në konferencën për media tha se kohëve të fundit kanë qarkulluar një sërë dezinformatash në lidhje me importin e energjisë elektrike në Kosovë.
“Është thënë se importi gjatë katër viteve të fundit është rritur në mbi 3 mijë gigavat orë, këto shifra janë të pasakta. Importi në Kosovë ka qenë prej rreth diku 1 mijë deri në rreth 1500 gigavat orë e jo mbi tre mijë siç është thënë. Nuk e di nga po i marrin këto informata, mirëpo nëse po i marrin nga ASK-ja është mirë të tregojnë informatën e plotë për mënyrën e përllogaritjes dhe përkufizimin e indikatorit”, tha ajo.
Tutjje, Rizvanolli tha se gjatë ditëve të fundit është thënë se Kosova po importon energji nga Serbia, por sipas saj iu janë referuar gabimisht rrjedhave fizike të energjisë në linjat e transmetimit mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kushdo që di veç pak për sektorin e energjisë e ka parasysh që tregtimi në linjat mes Kosovës e Serbisë është i bllokuar që nga pavarësimi energjetik i Kosovës në vitin 2020. Me këtë rast dua të përkujtoj një gjë, që qeveria nuk blen energji. Adresa për pyetje si blihet energjia, me çfarë çmimi, në çfarë rrugë, nga cilët operatorë e keni te furnizuesit, tek KESCO si furnizuesi kryesor, një kompani e privatizuar qysh në vitin 2013 që nuk ka asnjë lidhje me Qeverinë e Kosovës”, tha Rizvanolli në konferencë para gazetarëve.