Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, është takuar me ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla.
Ajo ka shkruar në “Facebook” se gjatë vizitës në ministri ka diskutuar mbi gjendjen aktuale dhe konkursin për punonjësit e rinj të policisë.
“Një vizitë zyrtare Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike me synim diskutimin e sigurisë së përgjithshme me theks tek popujt joshumicë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Diskutuam gjendjen aktuale, e cila është më stabile se në ditëve të kaluara për të gjithë ne”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ajo ka bërë me dije se po ashtu në takim u fol po ashtu edhe për konkursin për punonjësit e rinj të policisë, i cili është i hapur deri më 16 janar.
“Ftoj të gjithë kandidatët e interesuar (serbë, boshnjakë, turq, goranë, romë, ashkali, egjiptianë…) të aplikojnë. Qeveria po bën të gjitha përpjekjet e mundshme për të rivendosur paqen dhe jetën normale për të gjithë qytetarët e saj sepse Republika e Kosovës është një vend ku ka vend për çdo qytetar në mënyrë të barabartë”, tha ajo.