Pasi humbi pozitën e parë në tabelë xhiron e shkuar, Real Madridi do të përpiqet që këtë vikend të rikthehet tek fitorja. Xhiron e kaluar Reali barazoi pa gola kundër Rayo Vallecanos, ndërsa këtë xhiro e pret në “Santiago Bernabeu” skuadrën e Valencias. Kjo ndeshje luhet të shtunën prej orës 21:00 dhe i takon xhiros së 13-të të La Ligas së Spanjës. Reali është i dyti në tabelë me 29 pikë dhe në kampionat ka marrë vetëm pesë pikë në tri ndeshjet e fundit. Në anën tjetër Valencia është e teta me 18 pikë dhe në këtë ndeshje futet pas dy fitoreve dhe dy barazime në kampionat.
Barcelona që ka dy pikë më pak se Reali dhe është e treta në tabelë, këtë xhiro e pret skuadrën e Alavesit. Kjo ndeshje luhet të dielën prej orës 16:15. Barça në këtë përballje futet pas humbjes që e pësoi në Champions nga Shakhtari, ndërsa Alavesi që është në pjesën e poshtme të tabelës vjen pas fitores ndaj Almerias vikendin e shkuar.
Befasia e këtij edicioni, Girona që i prin tabelës me 31 pikë, do ta ketë një udhëtim të vështirë. Të shtunën prej orës 14:00, Girona do të përballet me Rayo Vallecanon.
Ndërkohë, kjo xhiro e kampionatit spanjoll do të mbyllet të dielën mbrëma, me duelin mes Atletico Madridit dhe Villarrealit. Të dyja skuadrat pësuan humbje xhiron e shkuar dhe në këtë duel do të tentojnë të rikthehen te rezultati pozitiv. Atletico u mposht nga Las Palmasi, ndërsa Villarreali nga Athletic Bilbao.