Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka reaguar pas raportimeve në media lidhur me mungesën e saj në një seancë gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, l për rastin e gazit lotsjellës.
Në një postim në rrjete sociale, Pacolli ka mohuar të ketë pranuar ndonjë ftesë zyrtare nga gjykata, duke theksuar se nuk ka pasur dijeni për seancën në fjalë.
“Unë nuk kam pranuar asnjë ftesë nga Gjykata për këtë seancë. Gjykata e ka adresën time të banimit dhe e di saktësisht ku banoj,” ka shkruar ajo.
Sipas saj, nëse një ftesë do të ishte dërguar, shërbimi policor apo posta do të kishin për detyrë të linin një njoftim për praninë e tyre.
“Nëse vërtet kanë dërguar një ftesë dhe nuk më kanë gjetur në shtëpi, është obligim ligjor që të lënë një njoftim, qoftë për të caktuar një datë tjetër apo për të më njoftuar që të paraqitem në gjykatë,” tha Pacolli.
Ajo ngriti gjithashtu dyshime mbi mënyrën si është trajtuar rasti nga mediat dhe institucioni gjyqësor.
“Si mund të paraqitem në një seancë, për të cilën nuk kam marrë asnjë ftesë zyrtare? Kur dhe ku ka provuar policia të më sjellë me detyrim? A e ka pyetur ndonjë gazetar gjykatën nëse ekziston një dëshmi që ftesa m’u ka dorëzuar personalisht apo zyrtarisht?”, ka shkruar Pacolli.
Pacolli theksoi se është gjithmonë e gatshme për bashkëpunim me drejtësinë, por kërkoi respekt për procedurat dhe komunikim të drejtë nga institucionet.
“Gjykata ka përgjegjësi jo vetëm për zbatimin e ligjit, por edhe për komunikim të saktë dhe transparent me palët. Deklaratat për ‘urdhëresa për sjellje me detyrim’ duhet të mbështeten në fakte, jo në supozime”, tha ajo.
Në fund, Pacolli shprehu habi për mungesën e kontaktit nga mediat para publikimit të lajmit.
“Jam e habitur që asnjë media nuk ka bërë përpjekje të më kontaktojë për ta marrë versionin tim. A ka ende gazetarë profesionistë në këtë vend që dinë ta bëjnë pyetjen më bazike para se ta publikojnë lajmin?”
Pacolli përsëriti gatishmërinë e saj për të ndjekur të gjitha procedurat ligjore, duke kërkuar që çdo komunikim nga gjykata të bëhet në mënyrë zyrtare dhe korrekte.
Lidhur me raportimet për mungesën time në seancën e fundit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dua t’ju informoj se…
Posted by Fitore Pacolli on Wednesday, July 2, 2025