Ministri i Bujqësisë, Faton Peci gjatë ditës së sotme bëri të ditur se ka nënshkruar vendim për lirimin e pronës së Institutit për Hulumtime Shkencore në Bujqësi që gjendet në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.
E tani ministri Pecia ka reaguar ndaj pretendimeve të një personi, i cili tha se ka dokumente se prona është e tij dhe se për hapat e marrë do ta padisë Pecin.
Ministri ka theksuar se tentimet e tilla nuk e kthejnë pas në vendime të drejta e të të mirë të shtetit.
“Nuk ua kam frikën ozurpatorëve, zhvatësve e as kriminelëve që Kosovën e duan dhe e shohin si plaçkë! Paradoksi: 700 metra katrorë lokal afarist në pronë të shtetit dhe padi Ministrisë se nuk i din mirë kufijtë! I gjithë oborri i pronës së IBK-së është ndërtim i vrazhdë betoni i shndërruar në depo, ndërsa vazhdon euforia e kërcënimit me padi të Ministrit! Për koincidence edhe kumbara i tjetërsimit të pronave Fehmi Geci, përmes ish-punonjësve serb të IBK-së vazhdon ta përsërisë të njëjtën frazë”, ka shkruar në reagimin e tij ministri.
Ai tha se ka patur dhe deputet që e kanë paditur, por askush në Kosovë nuk mund të flasë për një shkelje ligjore e hiç se hiç për keqpërdorim apo keqmenaxhim të një centi të taksapaguesve.
“Sinkronizim i hatashëm e i vazhdueshëm! Të mjerë! Kosova qëndron mbi themelin e gjakut të derdhur, e ka akoma njerëz në këtë vend që e dinë dhe e vlerësojnë këtë sakrificë!” ka shkruar ministri Peci.
Ministri mori vendin sot gjatë ditës për kthimin e pronës, ku gjendet edhe selia e AAK-së, ndërsa ka thënë se janë ndërtuar “ilegalisht 700 metra lokale afariste, është bërë tjetërsim dhe bartje e pronës nga shtetërore në private, është shndërruar oborri në depo, ndërsa s’ka pasur veprim nga pesë ish-ministra”.
Peci ka thënë se ka denoncuar rastin në Prokurori por nuk është marrë asnjë veprim.
Pas kësaj një person doli me pretendimet se prona për të cilën ministri Peci deklaroi se është e Institutit Bujqësor të Kosovës dhe shfrytëzohet nga persona privatë, është e tija.
Yll Bogaj, që ka qenë edhe asamblist i AAK-së në Prishtinë, ka publikuar një reagim në rrjetin social Facebook ku e ka quajtur shpifës ministrin Peci.
Sipas Bogajt, Peci e ka etiketuar pronën e tyre private si pjesë të Institutit të Bujqësisë, siç ka thënë “duke synuar shantazhin publik, frikësimin dhe shpronësimin tonë nga ‘shenjtëria’ dhe paprekshmëria e të drejtës pronësore e garantuar me ligj, kushtetutë dhe me norma e parime universale”.
“Videoja shantazhuese e Faton Pecit, është vazhdimësi e shantazhit të tij publik që na është bërë tash e një vit të plotë. Për më tepër, kulmi i çdo gjeje ka qenë dje kur kemi pranuar një ‘Vendim’ të Faton Pecit, i cili në mënyrë krejtësisht arbitrare na kërkon që ta lirojmë pronën tonë legale brenda shtatë ditësh, nën kërcënimin e largimit tonë me forcë nga prona jonë private. Deri më sot, kemi dashur të kursehemi nga diskursi publik i përplasjes së gënjeshtrave të Faton Pecit me gjendjen faktike juridike, pasi që kemi vlerësuar e besuar siç vazhdojmë të besojmë, se për konteste të tilla ka rrugë ligjore e mekanizma ligjor të cilat edhe i kemi shfrytëzuar”, ka shkuar Bogaj në Facebook.



