Rasti i vdekjes së 27 vjeçarit, Agon Zejnullahu nga Lipjani gjatë ndërhyrjes nga ana e Policisë së Kosovës, ka tronditur opinionin.
Pas rastit tragjik, mbrëmë u raportua se është shkarkuar komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Argjend Gashi.
Mirëpo Gashi në një prononcim për Telegrafin tha se nuk është shkarkuar, por ka ofruar dorëheqje.
“E vërteta është se unë kam ofruar dorëheqje morale nga pozita e komandantit, nuk jam shkarkuar. Nuk ka vendim zyrtar ende, unë kam ofruar dorëheqje”, tha Gashi.
Ai shtoi se ende nuk ka pranuar vendim zyrtar rreth dorëheqjes së tij.
Shkarkohet kapiteni i Policisë në Lipjan pas vdekjes së Agon Zejnullahut
“Zyrtarisht ende nuk kam marrë vendim rreth dorëheqjes time, pritet. Dorëheqjen e kam ofruar gjatë ditës së djeshme”, u shpreh Gashi.
Komandanti i policisë në Lipjan, nuk pranoi të flas rreth rastit tragjik të Agon Zejnullahut.
“Rreth rastit nuk mund të prononcohem sepse është në dorën e Prokurorisë, IPK-së dhe njësisë së hetimeve rajonale”, u shpreh ai.
Pesë zyrtarë policorë, Ibrahim Nela, rreshter në Stacionin Policor Lipjan, Liridon Rrahmani, Artidon Konxheli dhe Albian Raktoceri, zyrtarë policorë të këtij stacioni, si dhe Endrit Beqiri, zyrtar në Stacionin Policor Ferizaj, u suspenduan dhe u dërguan në paraburgim për ‘vrasje nga pakujdesia.
Sipas nenit 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që e privon nga jeta personin tjetër nga pakujdesia, dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim