Një grua 67-vjeçare nga fshati Kuk i Dragashit ka vdekur mëngjesin e së hënës.
67-vjeçarja dyshohet se kishte qenë viktimë e dhunës në familje edhe më parë.
Kështu tha zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prizrenit Fitore Mehmeti – Sejrani.
Mehmeti-Sejrani tutje tha se javën e kaluar ndaj dy anëtarëve të familjes së 67-vjeçares ishte ngritur aktakuzë për “Dhunë në familje”.
Aktakuza është ngritur ndaj gruas së vëllait dhe djalit të vëllait të 67-vjeçares.
“Me datë 21 dhjetor 2022, Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër gruas së vëllait të viktimës dhe djalit të gruas së vëllait, për veprën penale “Dhuna në familje” nga neni 248, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), përkatësisht për dhunë psikologjike ndaj viktimës, sepse viktima ka jetuar në shtëpinë e vëllaut të saj”-tha Mehmeti – Sejrani.
Ndër të tjera organet e rendit konstatuan se në trupin e viktimës kishte shenja dhune, dhe vdekja është cilësuar se e dyshimtë.


