Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, deklaroi se është e befasuar se si ende nuk është marrë asnjë vendim për përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave.
Ajo tha të hënën në një konferencë për media se në mes të nëntorit pritet të ketë edhe një votim nga Këshilli Evropian për këtë çështje, derisa shtoi se është problematike pasi nuk është dhënë asnjë datë për përfundimin e procesit.
Cramon u shpreh se edhe ajo po vuan me qytetarët e Kosovës.
“Kjo ishte në agjendë për herë të parë në grupin punues të Këshillit Evropian. Ende s’është marrë një vendim i qartë, do të ketë edhe një votim kah mesi i nëntorit apo fillimi i dhjetorit dhe në prapaskenë po punojmë që ta shohim një vendim pozitiv që qytetarët e Kosovës e kanë merituar moti. Nuk mund t’ia shpjegosh askujt se kur Komisioni Evropian i shqyrton vlerësimet, që janë pozitive. Të gjitha kriteret janë përmbushur. Ende Këshilli s’ka vendosur, më besoni edhe unë po vuaj sa secili prej juaj këtu. Kjo nuk arsyetohet që po ndodhë, e shpresoj se do të shohim rezultate sa më shpejtë”, tha ajo.
Për procesin e dialogut, Von Cramon deklaroi se drafti frank-gjerman për marrëveshjen Kosovë-Serbi, është pozitiv dhe sipas saj, duhet të shqyrtohet nga Prishtina dhe Beogradi.
“Shihet se ka përparim të ri, është një frymë e re me gjithë procesin, po e shohim se në të dyja anët, si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd, e kanë kuptuar njerëzit se është koha dhe momenti që të arrijmë nëse jo një marrëveshje përfundimtare, të paktën një pako që do të ishte e pranueshme për të dyja palët. Është një rast i mrekullueshëm që të dyja palët të ecin drejt integrimit evropian. Është e nevojshme dhe Kosova si vendi më pro evropian, duhet ta përkrahë këtë”, deklaroi ajo.
Sipas raportueses së Kosovës në Parlamentin Evropian, Kosova dhe Serbia duhet t’i shqyrtojnë edhe çështjet e përditshmërisë, si njohja e letërnjoftimeve, njohja e diplomave dhe ato që lidhet direkt me jetën e qytetarëve.
“Duhet të ketë vullnet më të madh nga komuniteti serb që të integrohen në shoqëri. Do të dëshiroja që kjo të tejkalohej, të gjithë qytetarët e Kosovës të jetojnë këtu dhe të marrin letërnjoftimin e Kosovës dhe të kenë të drejta të barabarta. Ende ka vend për përparim. Na duhet një praktikë e mirë, një proces i lehtë që të gjithë të arrijnë këtë dhe të jenë qytetarë të barabartë”, tha Cramon.
Ajo u shpreh para mediave se për strategjinë e energjisë elektrike, Kosova po vazhdon me kushte të vështira, ndërsa thasë Qeveria nuk mund ta ndryshojë këtë në aspektin e zhvillimeve gjeopolitike.
Ne ballafaqohemi në gjithë Evropën dhe në BE kemi një gjendje me një rritje të jashtëzakonshme të çmimeve të energjisë. Javëve dhe muajve të fundit është një lloj kaosi. Po mundohemi të ndërtojmë një lloj solidariteti apo sindikate për energji. Dhe me rritjen e kërkesës për fosile që nuk vijnë nga Rusia, është e vështirë që të përmbushen nevojat e industrisë dhe të qytetarëve, që të sigurohemi që nuk ka çrregullime shoqërore edhe në Kosovë”, tha ajo, derisa u shpreh se është pro energjisë se gjelbër.