Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kritikuar procesin e negociatave të Brukselit, duke pasur parasysh gjendjen e tensionuar në veri të Kosovës. Ai propozoi një konferencë normalizimi ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të mbylleshin deri në përfundimin e diskutimit për gjithë mospajtimet.
Kryeministri shqiptar po ashtu përmendi ekzistencën e marrëveshjes së Ohrit, duke thënë se të dy liderët ia hedhin fajin njëri-tjetrit pse nuk zbatohet.
Kreu i ekzekutivit shqiptar ka paralajmëruar se realiteti i sotëm mund të shndërrohet në një realitet negativ nesër, duke përmendur këtu ekonominë e Kosovës.
Ai tha se i vetmi njeri që përfiton nga ngjarjet në veri, është Vladimir Putin.
“Të dy liderët të merren dhe të mbyllen brenda në një konferencë noramlizimi, pa të drejtë dalje deri kur të përfundoj bashkëbisedimi që të trajtohen ato pika, që askush nuk i kundërshton, por në të njejtën kohë secili ia hedh tjetrit fajin pse nuk zbatohen, sepse s’ka vullnet. Ky është fakti. Ka edhe një dehje nga ky karshilleku me gjithë planetin demokratik, në emër të nuk e di se çfarë. Por realiteti i përditshëm sot, po bëhet bazë për një realitet shumë negativ nesër, në të gjitha aspektet. S’më takon mua të diskutoj ekonominë e Kosovës apo aq më pak të Serbisë.
I vetmi përfitues nga kjo situatë është zotëria që rri i mbyllur në bunkerin e tij në Kremlin”, ka deklaruar Rama.


