Një akt i lartë i ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare është regjistruar në Junik, ku qytetari Imer Krasniqi, imam nga ky qytet, ka dorëzuar në Stacionin Policor të Junikut një kuletë të humbur që përmbante 1300 euro dhe dokumente personale, shkruan KosovaNews.
Sipas njoftimit nga Policia e Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 8 maj 2025, kur Krasniqi kishte gjetur kuletën në qytet dhe menjëherë e kishte sjellë atë në polici. Zyrtarët policorë kanë arritur të identifikojnë pronarin e kuletës dhe e kanë ftuar atë në stacion, ku i është kthyer në tërësi, bashkë me të hollat dhe dokumentet.
Policia e Kosovës ka falënderuar z. Imer Krasniqi për veprimin e tij shembullor, duke e cilësuar si një dëshmi të lartë të ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare.
