Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme mori vendim për t’i zgjatur masat emergjente për furnizim me energji.
Në mbledhjen e ekzekutvitit, kryeministri Albin Kurti, tha se furnizimi me energji mund të përkeqësohet.
Derisa ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, iu bëri thirrje Korporatës Energjetike të Kosovës dhe KOSTT-it, që të marrin masat e nevojshme për furnizim të rregullt me energji elektrike
“Propozojmë masat e emergjencës në furnizim me energji, ku ndër të tjera ndalohet përdorimi i energjisë elektrike për mihje me kriptovaluta, obligohen institucionet e veçanta si KEK-u, Ministria e Ekonomisë, KOSTT-i etj që të marrin masa të veçanta për siguri të furnizimit. Masa shtesë do të ndërmerren sipas nevojës dhe rekomandimeve të komitetit teknik emergjent”, tha ministrja Rizvanolli.
Sipas saj, këto masa merren duke qenë se furnizimi me energji elektrike po vazhdon të ketë rrisqe të lidhura me rritjen eventuale të çmimeve gjatë muajit shkurt dhe mars me ftohjen e motit në gjithë Evropën.
Ajo tha se masat emergjente në furnizim me energji, ndër të tjera, ndalojnë prodhimin e kriptovalutave me energji elektrike.