Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për vazhdimin e masave emergjente të furnizimit me energji elektrike.
Përmes këtij vendimi, Qeveria i propozon Kuvendit zgjatjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike, me qëllim të normalizimit të plotë të gjendjes në nivel të shtrirjes dhe kohëzgjatjes së nevojshme.
Vendimi është marrë në mbledhjen e 98-të elektronike të mbajtur këtë të premte nga ekzekutivi.
Në njoftimin për media thuhet se zgjatja e këtyre masave bëhet për shkak të rritjes se kërkesës për energji dhe gjendjes jostabile të furnizimit me energji elektrike.
“Mungesa e energjisë, vjen si pasojë e vjetërsisë së kapaciteteve aktuale gjeneruese, investimet parciale në këtë sektor dhe rritja e vazhdueshme e konsumit. Kjo shtron nevojën emergjente të zgjatjes së masave për 30 ditë, për shkak të nevojave që mund të paraqiten nga pasojat e krizës energjetike ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, Qeveria me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, më 1 gusht pati miratuar vendimin për shpalljen e masave emergjente në furnizimin e energjisë elektrike.
“Masat e marra do të mbesin në fuqi për 60 (gjashtëdhjetë) ditë pas aprovimit nga Kuvendi i Kosovës. Kuvendi mund të vazhdojë këtë afat për periudha të njëpasnjëshme prej 30 (tridhjetë) ditësh me shumicë të votave të deputetëve të Kuvendit të pranishëm në seancë, deri në 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë”, u tha në njoftimin e ekzekutivit.
Masat e emergjencës, ndër të tjera, përfshijnë:
Masa mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit;
Ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave;
Mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik; dhe
Masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.
Njëkohësisht, Qeveria e Republikës së Kosovës, veçanërisht Ministria e Ekonomisë janë duke monitoruar situatën elektroenergjetike në Kosovë dhe ndërhyrjet e Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës në përgatitjen e termocentraleve për sezonën e dimrit.
Edhe pse termocentralet janë të stërvjetruara, menaxhmenti i KEK-ut së bashku me ekipet e mirëmbajtjes janë duke e bërë maksimumin që blloqet e termocentraleve të gjenerojnë energji elektrike të mjaftueshme për të mbuluar kërkesën vendore. Termocentralet e KEK-ut janë në funksion mbi 80% të kohës gjatë një viti, që është mbi mesataren botërore të punës së termecontraleve me thëngjill. Këto riparime na mundësojnë që ta mbajmë këtë mesatare të lartë të gjenerimit të energjisë dhe furnizim sa më të rregullt.