Qeveria e Kosovës ka vazhduar vendimin për subvencionimin e faturave të konsumatorëve që kursejnë energji elektrike edhe për një muaj.
Kështu është vendosur në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, ku edhe janë ndarë mjete të reja me të cilat do të subvencionohen faturat në muajin e ardhshëm.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se mjetet financiare prej 6 milionë euro do të merren nga shuma prej 67.5 milionëshe që është marrë para disa ditësh nga Bashkimi Evropian.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim kursimin e energjisë elektrike dhe do të subvenciojmë të gjithë ata qytetarë që vazhdojnë të harxhojnë më pak energji dhe e kursejnë atë”, ka thënë Murati.
Ky propozim edhe është votuar nga kabineti qeveritar dhe pritet që pagesat të bëhen menjëherë muajin e ardhshëm.