Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime që prekin arsimin në Luginën e Preshevës, nderimin e heroit Afrim Bunjaku dhe investime në veri të vendit.
Në kuadër të Memorandumit të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar, janë ndarë 304,511.16 euro për pajisjen me 35,448 tekste shkollore për 3,650 nxënës shqiptarë të shkollave fillore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Po ashtu, një pjesë e këtyre mjeteve do të përdoret për avokimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Luginës së Preshevës në SHBA, Bashkimin Evropian dhe organizatat përkatëse ndërkombëtare.
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje, sipas tabelave të përcaktuara në anekset përkatëse.
Po ashtu, janë ndarë 50 mijë euro për familjen e zyrtarit policor të rënë në krye të detyrës gjatë sulmit terrorist në Banjskë, heroit Afrim Bunjaku. Këto mjete do të shfrytëzohen për ndërtimin e një hapësire pritjeje që do t’u shërbejë qytetarëve dhe do të jetë në shenjë respekti dhe nderimi për jetën dhe veprën e tij.
Ndër vendimet e tjera, Qeveria ka ndarë 200 mijë euro për renovimin e një objekti në Mitrovicën e Veriut, që do të shfrytëzohet nga Administrata Tatimore e Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.


