Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se Rusia duhet të kishte nisur një pushtim të plotë të Ukrainës më herët dhe të ishte më e përgatitur për luftën.
Në konferencën e tij të fund vitit për media të enjten, Putin tha, se kur shikon prapa, mendon se duhet ta kishte pasur “përgatitje sistematike” për pushtimin e vitit 2022 të Ukrainës, të cilit ai i referohet si një “operacion ushtarak special”.
Në lidhje me presidentin e sapo zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, Putin tha se dyshja nuk kishin folur për katër vjet, por ai ishte gati ta takonte atë “nëse ai dëshiron”.
Kur u pyet nëse ai ishte në një pozitë të dobët në krahasim me Trump, i cili do të marrë detyrën në janar, Putin citoi shkrimtarin amerikan Mark Twain: “Thashethemet për vdekjen time janë shumë të ekzagjeruara”, duke shkaktuar të qeshura në sallën e konferencave. .
Putin shtoi se ai ishte “i hapur për kompromise” për t’i dhënë fund luftës – megjithëse ishte e paqartë se çfarë mund të përfshinin kompromise të tilla.
Ndryshe nga muaji i kaluar kur ai përjashtonte mundësinë e bërjes së ndonjë lëshimi të madh territorial, tani ai tha se Rusia nuk kishte kushte për të filluar bisedimet me Ukrainën dhe ishte e gatshme të negocionte me këdo, përfshirë presidentin Volodymyr Zelenskiy.
Gjatë paraqitjes së tij katër orëshe, foli edhe për Sirinë dhe për doktrinën bërthamore më agresive të Rusisë si dhe çështjet e brendshme. Putin mori pyetje nga publiku, gazetarë të huaj dhe pensionistët me një koreografi dhe rrjedhë mjaftë të kontrolluar.
Ai theksoi gjithashtu aftësitë e raketës së re balistike me rreze të mesme veprimi të Rusisë, Oreshnik, e cila u përdor në një sulm në Ukrainë në nëntor.
Për të testuar fuqinë e saj, ai sugjeroi se Rusia duhet të gjuajë Oreshnik drejt Ukrainës dhe mbrojtja ajrore e Ukrainës – duke përdorur sistemet amerikane – duhet të përpiqet ta rrëzojë atë.


