Vera, deti dhe rrezet e diellit janë një nga kënaqësitë më të mëdha të stinës së nxehtë, por për shumë njerëz, ato sjellin edhe bezdi të pakëndshme për lëkurën
Shumëkush ka përjetuar ndonjëherë kruarje të papritur, skuqje, puçrra të vogla ose një ndjesi djegieje pas qëndrimit në plazh, pishinë apo edhe gjatë një shëtitjeje në diell.
Për disa, kjo është thjesht pasojë e djegies së zakonshme nga dielli, por për të tjerë mund të jetë një shenjë e një reaksioni alergjik, dehidratimi, ndjeshmërie të lartë të lëkurës ose edhe efekt anësor nga ndonjë ilaç apo produkt kozmetik.
Kruarja dhe skuqja mund të jenë të lehta e kalimtare, por ndonjëherë mund të sinjalizojnë probleme që kërkojnë më shumë kujdes: si fotodermatiti (alergjia nga dielli), urtikaria diellore apo reaksionet fototoksike. Për më tepër, këto shqetësime lidhen shpesh edhe me sistemin tonë imunitar dhe mund të ndikojnë vlerat e IgE-së, një tregues i rëndësishëm i gjendjeve alergjike.
Më poshtë shpjegojmë arsyet kryesore pse ndodh kjo, çfarë mund të tregojnë këto simptoma dhe si mund ta mbroni lëkurën për të shijuar diellin pa shqetësime.
Djegia nga dielli
Më e zakonshmja është djegia nga dielli, një inflamacion akut i lëkurës për shkak të dëmtimit nga rrezet ultraviolet B (UVB). Kur lëkura digjet, qelizat e saj dëmtohen dhe çlirojnë substanca kimike që shkaktojnë inflamacion, prandaj ndjehet skuqje, nxehtësi, kruarje dhe më vonë mund të ndodhë zhvishem i lëkurës, shkruan Mayo Clinic, sipas American Academy of Dermatology
Alergjia nga dielli (Fotodermatiti)
Tek disa persona, veçanërisht ata me lëkurë të ndjeshme, dielli mund të shkaktojë fotodermatit, një reagim alergjik ku lëkura kruhet, skuqet dhe mund të shfaqen puçrra ose njolla të vogla. Një formë e zakonshme është eruptioni polimorf ndaj dritës (PMLE), që prek shpesh gratë e reja. Kjo mund të shfaqet disa orë pas qëndrimit në diell dhe të përsëritet verë pas vere, sqaron Asthma & Immunology (ACAAI).

Fotoreaktiviteti, kombinimi me kimikatet
Disa kremra, parfumet, apo ilaçe (si antibiotikë, barna kundër akneve ose diuretikët) mund ta bëjnë lëkurën më të ndjeshme ndaj rrezeve të diellit. Ky fenomen quhet reaksion fototoksik ose fotoalergjik, që mund të japë skuqje, kruarje dhe flluska të vogla, që duken si djegie.
Dehidratimi dhe tharja e lëkurës
Qëndrimi gjatë në diell bën që lëkura të humbasë lagështinë më shpejt. Lëkura e dehidratuar kruhet më lehtë, dhe djersa ose kripa mund të irritojnë zonat e ndjeshme.
Po IgE-ja totale, a ndikohet?
Këto gjendje, sidomos fotodermatiti dhe urtikaria nga dielli, mund të lidhen me rritje të IgE-së totale, pasi ky antitrup rritet zakonisht në reaksione alergjike.
Nëse shkaku është një reagim i vërtetë alergjik (si urtikaria nga dielli), IgE mund të jetë më i lartë.
Nëse kruarja vjen vetëm nga djegia klasike apo nga tharja, zakonisht IgE nuk ndikohet.
Fotoreaktiviteti nga ilaçet nuk ka gjithmonë lidhje me IgE, por me reaksionet direkte në qelizat e lëkurës.
Pra, nëse kruarja dhe skuqja nga dielli janë të shpeshta dhe shoqërohen me simptoma të tjera alergjike, mjeku mund të rekomandojë matjen e IgE-së totale ose testime të tjera për të përcaktuar shkakun.