Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurorja Ajshe Ferati, pas konsultimit me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, ka kërkuar që të ndërpritet shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarit Xhavit Beqiri, i cili në cilësinë e këshilltarit të jashtëm politik në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, akuzohet për mosraportim të pasurisë.
Prokurorja Ferati tha se pas hyrjes së ligjit të ri në fuqi, vepra penale nga neni 430, paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale bie në Departamentin e Kundërvajtjes, ashtu që para leximit të aktakuzës, kërkoi kohë për konsultim me zyrën e kryeprokurorit Munishi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërkaq, pas konsultimit me të njëjtin, prokurorja Ferati propozoi që kjo seancë të ndërpritet meqenëse ende nuk ka një qëndrim përfundimtar lidhur me këtë çështje.
Në këto rrethana, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica ndërpreu seancën, ndërsa e radhës lidhur me këtë çështje penale është shtyrë në afat të pacaktuar.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 14 tetor 2021 kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhavit Beqirit, i cili më 31 mars 2021 në Prishtinë, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik nuk e kishte bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë si këshilltar i jashtëm politik në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, duke vepruar në kundërshtim me nenin 8, par.1 të Ligjit 04/L-050, për deklarim, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.
Sipas aktakuzës, Beqiri nuk e kishte deklaruar fare pasurinë edhe përkundër faktit se nga organet kompetente është njoftuar me kohë dhe sipas ligjit ka qenë i obliguar që një gjë të tillë ta bëjë për vitin 2020 që nga data 1 mars deri më 31 mars 2021 në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Prishtinë.
Me këtë, ai ngarkohet se ka kryer verën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i te ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, par. 1 të Kodit Penal.


