Kanë kaluar një vit e tre muaj që nga koha kur është dorëzuar në Prokurorinë Speciale kallëzim penal për keqpërdorime në kontratën “Mirëmbajtja e urave në rrugët nacionale dhe regjionale të Kosovës për vitet 2017-2018-2019”, por deri tash nuk ka asnjë njoftim zyrtar rreth fillimit të hetimeve ndaj këtij tenderi edhe përkundër pyetjeve të dërguara në Prokurorinë Speciale nga KosovaNews.
Më 2 korrik të vitit 2021, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimt Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi kishte dorëzuar në Prokurorinë Speciale kallëzim penal për keqpërdorime në kontratën “Mirëmbajtja e urave në rrugët nacionale dhe regjionale të Kosovës për vitet 2017-2018-2019”.
Njoftimi për kontratën “Mirëmbajtja e urave në rrugët nacionale dhe regjionale të Kosovës për vitet 2017-2018-2019” ishte hapur më 7 gusht të vitit 2017 dhe vlera e parashikuar ishte 500.000€.
Kontrata në fajlë ishte nënshkruar në marsin e vitit 2018, në kohën kur ministër i Infrastrukturës ishte Pal Lekaj nga radhët e AAK-së.
Në njoftimin e zëvendësministrit Durmishi thuhej se kishe pasur ndërhyrje te kushtet e përgjithshme të kontratës duke u ndryshuar në mënyrë të kundërligjshme neni 24, paragrafi 24.1, me ç’rast i gjithë buxheti i paraparë për ndërtimin dhe rikonstruimin e urave në tërë territorin e Kosovës në shumë prej 4.352.022€ vendoset në këtë kontratë, e që sipas Durmishit kjo është në kundërshtim me ligjin.
Tutje Durmishi kishte theksuar dy pozicionet kyçe të cilat kanë rezultuar me rritje brutale nga 500.000€ në 5.500.000€.
Pozicioni i 5.1 në të cilën parashihej gërryerja dhe pastrimi i i betonit të degraduar ishin të parapara 350 metra katror me çmim 5 euro për metër katror në fund arrinë në 103.811 metër katror apo në vlerë monetare 519.058€ dhe pozicioni 5.4 në të cilën parashihej lyerja e shtyllave të urës që ishin të parapara 450 metra katror me çmim 10€ për metër katror që në total do të kushtonte 4500€, në fund ka përfunduar me rritje të sasisë në 103.812 metra katror apo në vlerë 1.038.124€.
Për ketë kontratë kishte të gjetura edhe në Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Infrastrukturës për vitin 2020.
Sipas ZKA, në dosjen e tenderit dhe njoftimin për kontratë nuk kishte specifikuar se do të aplikohet kontrata kornizë dhe nëse lejohet devijimi +/- 30%, si dhe në dosje ishte prezantuar edhe paramasa me çmim për njësi e si rezultat i këtij procesi të prokurimit, kontrata ishte nënshkruar për periudhë dyvjeçare me çmimin për njësi vjetore prej 4,348€ dhe vlera indikative 1,807,749€ e që sipas ZKA ishte në në kundërshtim me kërkesat ligjore, sepse në rastet e tilla kur mund të parashikohet sasia indikative kjo kontratë nuk aplikohet.
Një tjetër e gjetur nga ZKA ishte paqartësia edhe sa i përket vlerës së kontratës sepse përveç çmimit për njësi dhe vlerës indikative, në nenin 24 të kontratës thuhej: “bazuar në deklaratën nën betim të ngarkuar në sistemin e e- prokurimit si dhe ligjin e buxhetit 06/L-020 për vitin 2018, për këtë kod ka mbështetje buxhetore 4,352,022€”⁷. Ndërsa, në deklaratën e nevojave dhe në dosjen e tenderit, vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte vetëm 500,000€. Sipas ZKA-së nënshkrimi i kontratave të paqarta sa i përket çmimit dhe sasive, e bëjnë të vështirë menaxhimin e tyre dhe mund të shpie në tejkalimin e tyre përtej planifikimit.
KosovaNews në pyetjet e dërguara në Prokurorinë Speciale ka kërkuar përgjigje se a kanë filluar hetimet ndaj pretendimeve të zëvendësministrit Durmishi edhe në cilën fazë të hetimeve jenë ato aktualisht, por edhe pas dy javë pritje nuk kemi marrë asnjë përgjigjje. Prokuroaria Speciale është në heshtje të plotë ndaj këtyre pretendimeve për keqpërdorimet milionëshe./KosovaNews/