Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka iniciuar “hetim të vdekjes” për rastin e vdekjes së një katërvjeçareje në Gjakovë, familja e së cilës është ankuar për neglizhencë të stafit mjekësor.
Vajza 4-vjeçare, siç ka bërë të ditur Policia në raportin 24-orësh, po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës që nga 17 shkurti. Më 19 shkurt ajo vdiq, ndërsa trupi i saj është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Familjarët janë ankuar për neglizhencë nga autoritetet.
Në një përgjigje për KOHEN, Prokuroria ka thënë se “është iniciuar rast i hetimit të vdekjes dhe me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”.
“Në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Gjakovës.
Veprime të menjëhershme për këtë rast ka kërkuar të mërkurën edhe shoqëria civile.
Ndërkaq në spitalin rajonal “Isa Greza” kanë thënë se në këtë rast ka pasur mbikëqyrje profeisonale mjekësore.