Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës për të grumbulluar informata dhe prova lidhur me mungesën e trajtimit të mbeturinave në Komunën e Prishtinës dhe situatën e krijuar si pasojë e mosgrumbullimit të tyre.
“Prokurori i Shtetit, në cilësinë e Koordinatorit kundër krimeve mjedisore në Prishtinë, ka kërkuar nga njësia për hetimin e krimeve mjedisore në Prishtinë, që të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme në drejtim të veprës penale ‘’Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’’, bazuar nga neni 338 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe në trajtimin me prioritet të çështjeve që prekin mjedisin dhe interesin publik.