Prokuroria Themelore në Gjilan ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Gjilan kërkesën për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj kirurgut Luan Mustafa, i cili dyshohet se ka sulmuar kolegun e tij, kirurgun Arbër Morina.
Këtë e ka konfirmuar, zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra.
“Ju njoftojë se sot (17.01.2024), Prokuroria Themelore në Gjilan ka dorëzuar kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, për shkak se dyshohet të ketë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor nga neni 185 par.1 nën par.1.3 të KPRK-së, për të cilën kërkesë gjyqtari çështjes do të vendos me aktvendim brenda afatit ligjor”, konfirmoi Shkodra.
Gjykata njofton se i dyshuari Mustafa nuk figuron që është i dënuar për ndonjë vepër penale, por është në procedurë në një rast për marrje ryshfeti.
“Ndërkohë, ju njoftojë se është në procedurë gjyqësore, i cili dyshohet të ketë kryer veprën penale marrja e ryshfetit, nga neni 421 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK-së)”, thuhet pë tej në përgjigjen e Shkodrës.
Ndryshe, Komisioni Disiplinor në Spitalin Rajonal të Gjilanit, këtë të mërkurë ka vendosur ta suspendojë nga puna për tre muaj kirurgun e dyshuar për sulm me ndërprerje 50% të pagës mujore.
“Komisioni disiplinor, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ka marrë vendim për masë të përkohshme, suspendim nga puna për 3 muaj me 50% pagesë deri në vendimin e plotfuqishëm i cili do të merret pas shqyrtimit detal të rastit”, ka konfirmuar drejtori i përgjithshëm Arsim Emini.
Ndryshe, Policia e Kosovës (PK) të martën ka arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë kirurgun Mustafa, nën dyshimin se sulmoi fizikisht kirurgun Arbër Morina.
Lidhur me rastin, kirurgu Morina ka thën137 se sulmi ndaj tij ka ndodhur në zyrën e tij në Spitalin e Gjilanit, disa minuta pas përfundimit të një ndërhyrjeje kirurgjike ndaj një pacienti.


