Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton se ka filluar hetimet lidhur me vdekjen e shtetases ukrainase me iniciale O.K., e cila është gjetur mbrëmë pa shenja jete në magjistralen Ferizaj-Prishtinë.
Sipas Prokurorisë, hetuesit Rajonal të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e saj.
“Prokuroria me të gjitha insitucionet tjera relevante janë duke punuar për zbardhjen e rrethanave të kësaj vdekjeje, dhe rasti është duke u hetuar në drejtim të veprës penale “Aksident trafiku” me fatalitet”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë.
Ndryshe, vdekjen e 23-vjeçares ukrainase e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh
“Patrulla policore gjatë patrullimit, në rrugë-autostradë kanë hasur ne një trup të pajetë të nje viktime femër-shtetase e huaj. Njësitet relevante policore, prokurori dhe ekipi mjekësor kanë dalur në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftim e PK-së.


