Ish- luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që gjatë luftës për liri humbi edhe gjymtyrët e trupit me rastin e 24 vjetorit të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, ka publikuar një poezi të shkruar për atë që ka kaluar e përjetuar atë kohë.
Bëhet fjalë për profesorin nga Ferizaj, Rrahim Sadikun, i cili gjatë luftës iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe humbi edhe gjymtyrët e trupit për lirinë e Kosovës.
Sadiku që një jetë të tërë ka punuar si mësimdhënës në shumë shkolla të komunës së Ferizajt, ka qenë edhe gazetar dhe njihet edhe për shkrimet e tij letrare.
Kësaj radhe me rastin e 24 vjetorit të bombardimeve të NATO-s, profesori Sadiku ka publikuar një poezi të titulluar “JAM UNË”.
Kjo është poezia e profesor Sadikut, ish- luftëtar i lirisë:
JAM UNЁ
Plaga e nëntë e njëmbëdhjetë…
e panumërta plagë.
Dhe unë jetoj, eci, nuk vdes.
vuajtja në sytë e nënës,
lëngimi në sytë e gruas,
dhembja për fëmijët,
urrejtja për të ligun…
Jam
me plagë që shtohen trupit.
Jam unë,
bajlozave u dal përpara,
i mund!
Po, jam unë.
Nuk jam legjendë.
Me plagën e nëntë,
të njëmbëdhjetë…
Me panumërta plagë
punoj e rropatem dhe i gëzohem lirisë…
Jam unë.
