Profesori në Kolegjin Pomona të Kalifornisë, Mietek Boduszynski, ka deklaruar se nuk beson që presidenti amerikan, Donald Trump, do të ndërmarrë hapa për të rrëzuar Gjykatën Speciale me seli në Hagë, por theksoi se kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk ka interes për këtë institucion dhe, nëse do të mundte, ndoshta edhe do ta eliminonte atë.
Këto komente ai i bëri gjatë një tryeze të organizuar nga Kolegji Ndërkombëtar Universum-Uni, ku të ftuar ishin profesorë dhe njohës të sistemit të drejtësisë, në një diskutim me temën: “Gjykata e Kosovës, apo një Gjykatë për Kosovën? Dilema e Dhomës së Posaçme.”
“Nuk besoj se Trump do të mundohet ta rrëzojë Dhomën e Specializuar, por mendoj se nuk është i interesuar për të. Po të mundte, ndoshta edhe do ta eliminonte. Është një çështje shumë e debatueshme. Dhe nuk është e lehtë të thuhet se qeveria amerikane ka vetëm një qëndrim, sepse ka shumë argumente brenda vetë qeverisë amerikane për atë se çfarë duhet bërë me drejtësinë ndërkombëtare, madje edhe brenda ushtrisë”, u shpreh Boduszynski.
Në të njëjtën tryezë foli edhe profesori amerikan Victor Peskin nga Universiteti i Arizonës, i cili vlerësoi se proceset gjyqësore janë një funksion thelbësor i qeverisjes, dhe se Dhomat e Specializuara të Kosovës përbëjnë një institucion të veçantë për nga struktura dhe arsyet e krijimit të tij.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës, pa dyshim, janë një institucion shumë i veçantë në mënyrën se si u strukturua, arsyet pse u strukturua ashtu dhe se si është vendosur balanca – apo mungesa e saj, sipas shumë kritikëve. Në kontekste të ndryshme, mund të jem specifik. Duke filluar nga tribunali i parë që kam studiuar – Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ruandën – ka pasur gjithmonë dallime të mëdha midis juristëve, aktorëve politikë dhe viktimave për mënyrën e organizimit të një tribunali”, theksoi Peskin, duke shtuar se nuk është e domosdoshme të jesh jurist për të pasur pikëpamje të forta e të informuara për këtë çështje.