Në Prizren, gara për kryetar të komunës do të vendoset në balotazhin e 9 nëntorit, ku përballë do të jenë kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashin.
Kandidatja e VV-së për Asamblenë Komunale të Prizrenit, Mimoza Bushrani, ka reaguar pas shpalljes së rezultateve preliminare, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe duke bërë thirrje për mobilizim të plotë në raundin e dytë të zgjedhjeve.
“Prizreni foli me dinjitet, me kulturë dhe me dashuri për qytetin tonë të bukur. Ju treguat se ky qytet nuk përkulet, nuk shitet dhe nuk dorëzohet lehtë. Prizreni është gati për ndryshim të vërtetë. Kjo është koha jonë”, ka shkruar Bushrani.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë më 9 nëntor për kandidatin e VV-së, Artan Abrashi, duke theksuar se çdo votë do të jetë vendimtare për të ardhmen e Prizrenit.
“Më 9 Nëntor nuk votojmë vetëm për një kandidat, votojmë për drejtësi, dinjitet dhe zhvillim. Prizreni është gati për fitoren e madhe. Bashkë për Prizrenin e së ardhmes”, ka përfunduar Bushrani.


