Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani sot ka vizituar qytetin e vjetër te Ulpanës vendin ku për vite të tëra po bëhen gërmime arkeologjike duke zbuluar qytetërimin e vjetër ilir.
Presidentja Osmani ka thënë se Ulpiana është një udhëtim nëpër kohë që zbulon thesaret e fshehura të së kaluarës sonë, e cila ndërlidhë të tashmen tonë me të kaluarën e largët.
“Ulpiana është një udhëtim nëpër kohë që zbulon thesaret e fshehura të së kaluarës sonë. Çdo gërmim zbulon fragmente të qytetërimit tonë të lashtë.
Nga Mbretëria e Dardanisë e deri te Perandori Justinian janë shekuj të trashëgimisë sonë të prekshme, e cila ndërlidhë të tashmen tonë me të kaluarën e largët.
Zbulimet e fundit në Ulpianë (Justiniana Secunda), paraqesin evidenca të rëndësishme për historinë e Dardanisë dhe dardanëve gjatë Antikitetit të vonë-Mesjetës së hershme.” ka shkruar Osmani në facebook
Ndërsa sot ministri i kulturës Hajrullah Çeku njoftoi në parkun e Ulpianës është zbuluar një dedikim i fuqishëm nga perandori Justinian. Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se “ekipi i arkeologëve në përbërje nga Christophe Goddard, Arben Hajdari e Milot Berisha gjatë hulumtimeve shkencore kanë zbuluar një mbishkrim monumental me rëndësi të jashtëzakonshme historike nga Perandori Justinian (527-565) i qytetit Justiniana Secunda, i përshkruar si qytet Dardan, një qytet në provincën e Dardanisë (krijuar nga paraardhësi i tij Diokleciani në fillim të shek. IV pas e.s.) dhe i kishës së tij”.