Përgjatë konferencës sw sotme për media, presidentja Osmani është pyetur edhe rreth kërkesës së të dërguarit amerikan të Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që riregjistrimi i makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës – të shtyhet për 10 muaj.
Osmani në këtë rast tha se shtyrja tregon se po tolerohen kërcënimeve e bandave serbe ndaj serbëve lokalë të Kosovës.
“Është një temë që kemi duke e diskutuar që shumë muaj dhe ajo që e kam thënë në takim me zotin Escobar është që kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit. Mos të harrojmë që mbi 90 për qind të serbëve që jetojnë në Kosovë, tashmë i kanë targat RKS, pra e respektojnë ligjin dhe e respektojnë parimin e barazisë para ligjit për të gjithë, pavarësisht etnisë”.
Sipas saj ekziston një numër i vogël i serbëve që ende nuk e kanë bërë këtë ndryshim.
“Shumica dërmuese e tyre nuk e ka bërë për një arsye të vetme, sepse ata kërcënohen nga banda kriminale, që paguhen dhe mbështeten politikisht nga (presidenti serb) Aleksandar Vuçiq”.
Osmani ka thënë se “shtyrja e vazhdueshme nënkupton se po tolerohen këto kërcënime të bandave kriminale në raport me serbët lokalë”.
“Prandaj po them se ka të bëjë me sundim të ligjit, nuk ka të bëjë assesi me serbët, është një çështje që ka të bëjë me mbrojtjen e tyre nga këto banda kriminale”.
Edhe Qeveria e Kosovës ka thënë një ditë më parë për Radion Evropa e Lirë se çështja e targave ka të bëjë me sundimin e ligjit.
Afati për riregjistrim të makinave në RKS ka nisur më 1 shtator dhe përfundon më 31 tetor.
Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati për riregjistrim nuk do të shtyhet dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.
Këto targa konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.
Më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.
Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve është shtyrë për 1 shtator, edhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë.
Ndërkohë është arritur marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.