Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në Bruksel nga Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, António Costa.
Osmani ka bërë të ditur se Kosova e mirëpret vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e pjesshme të masave ndaj vendit, duke shprehur shpresën dhe angazhimin që ato të hiqen sa më parë në tërësi.
Ajo ka theksuar se Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitet, bashkëpunim dhe përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, duke përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë BE-ja.
“Në takim potencova se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet, sado që ato ishin të padrejta, prandaj nuk ka asnjë arsye që të pengohet apo të shtyhet heqja e masave të mbetura”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja Osmani ka shtuar se Kosova pret përkrahjen e të gjitha shteteve anëtare të BE-së, në mënyrë që, bazuar në merita, vendi të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.


