Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës së Letonisë për Kosovën, Vilmārs Heniņš, njofton Presidenca.
Gjatë ceremonisë, Presidentja Osmani i uroi mirëseardhje ambasadorit dhe vlerësoi lart marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve. Ajo theksoi se Letonia ka qenë një partnere e fuqishme e Kosovës, duke mbështetur jo vetëm procesin e shtetndërtimit, por edhe përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Presidentja falënderoi Letoninë për mbështetjen e vazhdueshme në rrugën euroatlantike të Kosovës, duke theksuar se partneriteti ndërmjet dy vendeve do të vazhdojë të forcohet në fusha me interes të përbashkët.