Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka reaguar pas lajmit për vdekjen e ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari.
Osmani tha se Ahtisaari tërë jetën ia kushtoi paqes.
“Sot iku nga kjo botë një figurë madhështore e skenës globale politike, kryenegaciatori për statusin e Kosovës, ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari.
Presidenti Ahtisaari ishte njeriu që tërë jetën e tij ia kushtoi paqes, diplomacisë dhe të mirës për njerëzimin dhe që pati ndikim të jashtëzakonshëm për të tashmen dhe të ardhmen tonë!
Ai skaliti kornizën e shtetit tonë, teksa emri i tij do të mbetet përherë në analet e historisë së Republikës së Kosovës.
Paqebërësi dhe vizionari do të mbetet përherë në kujtimet e popullit të Kosovës!”, ka shkruar presidentja në rrjetin social.
Ish-ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, ka vdekur të hënën në moshën 86-vjeçare.
Siç ka bërë të ditur faqja zyrtare e Presidencës finlandeze, Ahtisaari vdiq në mëngjesin e së hënës në Helsinki.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e presidentit Martti Ahtisaari. Marti Ahtisaari besonte në njerëzit, qytetërimin dhe mirësinë, dhe ai jetoi një jetë të mrekullueshme, të jashtëzakonshme. Ai ishte presidenti i kohërave të ndryshimit, i cili e çoi Finlandën në epokën globale të BE-së”, ka thënë presidenti aktual finlandez, Sauli Niinistö.

