Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim biznesor në Tokio, ku u diskutua për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.
Në një postim në rrjete sociale, Presidentja Osmani theksoi se gjatë këtij takimi u dëshmua potenciali i madh për thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
“Sot, gjatë takimit biznesor Kosovë–Japoni në Tokio, u dëshmua potenciali për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona,” ka shkruar ajo.
Presidentja shtoi se në këtë vizitë është e shoqëruar nga një delegacion i bizneseve nga sektorë të ndryshëm në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të qartë të gatishmërisë së Kosovës për një partneritet strategjik me Japoninë.
Vizita në Japoni vjen në kuadër të përpjekjeve për të promovuar ekonominë kosovare në tregjet ndërkombëtare dhe për të tërhequr investime të huaja, sidomos nga vendet me potencial të lartë si Japonia.