Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, në një ceremoni të mbajtur në Ambasadën e Kosovës në Shkup i ka dhuruar një kontingjent librash bibliotekës shqipe të Manastirit, e cila është në themelim e sipër.
Osmani ka përgëzuar nismëtaren Emira Selimi për punën dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm për hapjen e bibliotekës së parë të gjuhës shqipe në qytetin e Manastirit.
Siç bën të ditur Zyra e Presidentes, Osmani ka potencuar se kjo iniciativë studentore nuk do të mund të ndodhte në ndonjë qytet më adekuat se ai i Manastirit, aty ku edhe buron alfabeti jonë i njësuar dhe gjuha jonë e unifikuar.
“Është gjithashtu inkurajuese që kjo iniciativë është ndërmarrë nga një vajzë, dhe besoj fort se si plot iniciativa tjera frymëzuese nga gratë dhe vajzat, impakti i saj do të jetë jashtëzakonisht i madh. Përfitimet e kësaj biblioteke janë afatgjate dhe do të shkojnë përtej brezave”, ka theksuar Osmani në ceremoninë e dorëzimit të librave.