Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, derisa është betuar për postin e ri të dielën, rindezi një grindje diplomatike me Greqinë fqinje.
Në ceremoninë e mbajtur në Parlamentin e vendit, Siljanovska-Davkova e quajti vendin vetëm si “Maqedoni”, duke mos e respektuar Kushtetutë, ku sipas saj, emri i këtij shteti është “Maqedonia e Veriut”.
Kjo bëri që ambasadorja greke Sophia Philippidou të largohej nga ceremonia e inaugurimit. Ministria e Jashtme greke më vonë lëshoi një deklaratë, duke thënë se veprimet e presidentes së re shkelin marrëveshjen midis dy vendeve dhe vënë në rrezik marrëdhëniet dypalëshe dhe perspektivat e Maqedonisë së Veriut për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Për këtë veprim, ajo mori kritika edhe nga BE-ja.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka quajtur jo të duhur zgjedhjen e fjalëve të Siljanovska-Davkovas.
“Që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme për anëtarësimin në BE, është parësore që vendi të vazhdojë në rrugën e reformave dhe respektimin e plotë të marrëveshjeve të saj detyruese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës”, ka shkruar ajo në platformën X, duke iu referuar marrëveshjes së vitit 2018 mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, raportoi “AP News”.
Pak orë më vonë, von der Leyeni ka uruar zgjedhjen e presidentes së re.
“Urime për Gordana Siljanovska-Davkova, që u bë presidentja e parë femër e Maqedonisë së Veriut. Udhëheqja juaj vjen në momentin vendimtar, derisa vendi juaj përparon në reforma dhe vazhdon rrugën drejt BE-së”, thuhet në shkrimin e saj.
Kundër deklaratës së saj në ceremoninë e inaugurimit, ka dalë edhe Bullgaria. Ministri i Jashtëm bullgar, Dimitar Glavçev, ka thënë se vendi i tij nuk pranon deklarata që bien ndesh me Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017.
“Bullgaria në mënyrë të përsëritur dhe qartë e ka shprehur qëndrimin e saj se marrëveshjet duhet të zbatohen në mënyrë rigoroze,” tha Glavçev.
Përdorimi i emrit “Maqedonia” provokon një reagim të fortë grek, me Greqinë që akuzon fqinjin e saj verior për përvetësimin e një emri grek dhe historinë e Mbretërisë së Lashtë Greke të Maqedonisë, e cila ka ekzistuar shekuj para popullit sllav.
Mosmarrëveshja dhjetëvjeçare u zgjidh në vitin 2018 , kur të dyja palët nënshkruan një marrëveshje dhe u miratua emri kushtetues “Maqedonia e Veriut”. Greqia më pas hoqi kundërshtimin e saj ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe aplikimit për anëtarësim në BE.
Kjo marrëveshje u nënshkrua nga qeveria që udhëhiqej nga qendra e majtë e Maqedonisë së Veriut, kundër dëshirës së opozitës, përkatësisht të qendrës së djathtë, të cilës i përket Siljanovska-Davkova.
Siljanovska-Davkova është presidentja e gjashtë që kur vendi fitoi pavarësinë nga Jugosllavia në 1991.
“Nuk mund ta imagjinoja se do ta merrja këtë lloj besimi nga mbi 560 mijë qytetarë. Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve. Do të mundohem të justifikoj këto mijëra vota, të cilat janë jo vetëm dhurata më e bukur për ditëlindjen time, por edhe detyrimi më i madh që kam pasur në jetë. Është koha për unitet”, ka thënë Siljanovska-Davkova.


