Në mbledhjen e shtatë të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), të mërkurën është bërë e ditur se është pranuar një ankesë nga “Premier League”, e cila ka të bëjë me çështjen e transmetimit.
Një gjë e tillë, është raportuar nga zëvendësuesi i kryeshefit ekzekutiv të KPM-së, Faruk Rexhaj.
“Kemi pranu edhe disa ankesa, domethënë sa i përket Premier Ligës, transmetimit të Premier Ligës”, tha Rexhaj.
Ai shtoi se ankesa ka shkuar fillimisht nga Premier Liga, e më pas nga DigitAlb.
“Fillimisht është ardhë ankesë direkt nga Premier Liga, mandej kemi ankesë nga DigitAlbi, i cili ka bo ankesë edhe përmes Ministrisë të Tregtisë dhe Industrisë që ka dërguar në KPM si të tillë”, tha tutje ai.
Ndërsa, njoftoi se kanë kërkuar nga të gjithë operatorët të cilët e transmetojnë këtë Ligë, të ofrojnë sqarime të nevojshme në afat prej 3 ditëve, sa i përket transmetimit të të njëjtës.
“Fillimisht, janë përgjigjur, ndërsa për shkak të detajeve, sipas tyre që janë detaje tregtare sa i përket marrëveshjes në mes palëve, kanë premtu që brenda 3 ditëve të dërgojnë njoftime të nevojshme sa i përket transmetimit të kësaj Lige se a kanë të drejtë të transmetojnë apo nuk kanë të drejtë”, tha më tej Rexhaj.
Kurse, për ndeshjet e Premier Ligës që zhvillohen në këtë vikend, Rexhaj tha se nga stafi i zyrës së monitorimit do të monitorohen nga afër të gjitha kanalet sportive.
“Dikush nga stafi i zyrës së monitorimit do të del në KPM dhe do të monitorojë nga afër të gjithë kanalet sportive, a po transmetohen ndeshjet e Premier Ligës apo jo dhe të shohim mandej sa i janë përmbajtë ankesës të cilën e kanë pranu”, tha Rexhaj.
Po ashtu, në këtë mbledhje KPM ka ripërtërirë licencat e “Radio 21”, “Radio Zëri i Shtimes” dhe “Galaktika”.
Ndërkaq, për “Radio Tema”, KPM përveç ripërtëritjes së licencës, ka aprovuar edhe ndryshimin e kushteve dhe termeve të licencës.
Kurse, rekomandimi për ripërtëritjen e licencës për “TV Diaspora”, pas diskutimeve është vendosur që shkaku i lëshimeve teknike dhe shikimit të marrëveshjes me përmbaruesin, të shtyhet për mbledhjen e radhës.
Krejt në fund, në kuadër të pikës “të ndryshme”, kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti ka ngritur një çështje që ka të bëjë me pozitën e kryeshefit ekzekutiv.
I njëjti ka sqaruar se më 16 shtator 2021, Komisoni e kishte emëruar Luan Latifin si kryeshef ekzekutiv, me mandat 4 vjeçar. Ndërsa, tha se Komisioni më 2 korrik 2021 ka marrë vendim që Latifi të pezullohet nga ushtrimi i detyrës, për shkak se ndaj të njëjtit është iniciuar procedurë penale dhe i është shqiptuar masa e paraburgimit.
Tutje, ai tha se më 7 dhjetor 2021, KPM ka marrë një vendim tjetër me të cilin Latifit i është vazhduar masa e pezullimit, për faktin se ndaj tij është duke u zhvillua procedurë penale dhe se kjo masë e pezullimit ka mbetur në fuqi.
Mehmeti ka kërkuar që KPM-ja të marrë një qëndrim që ka të bëjë me moszgjatjen e mandatit, gjegjësisht ripërtëritjes së mandatit të kryeshefit ekzekutiv.
“Meqenëse jemi afër afatit të skadimit të mandatit të rregullt 4 vjeçar, do doja që sot si Komision të marrim një qëndrim që ka të bëjë me moszgjatjen e mandatit, gjegjësisht ripërtëritjen e mandatit të kryeshefit ekzekutiv”, tha tutje Mehmeti.
Sipas tij, për shkak se ndaj të njëjtit ekziston ende masa e pezullimit dhe të fillohet me procedurat për shpalljen e konkursit, sapo të përmbushen kushtet ligjore, shkruan Betimi për Drejtësi.
I njëjti tha se nga zyra ekzekutive do të donte një sqarim për procedurat e përzgjedhjes së kryeshefit ekzekutiv të asaj kohe, meqë sipas tij ka një paqartësi mbi datën e vendimmarrjes, gjegjësisht mbajtjes së mbledhjes kur është emëruar dhe datës kur vendimi ka hyrë në fuqi.
“Nëse pajtoheni me këtë konstatim, atëherë do ta marrim një qëndrim si Komision, i cili do të shndërrohet nga zyra ekzekutive në vendimmarrje të cilin do ta nënshkruajmë pastaj”, tha në fund Mehmeti.
Pro këtij qëndrimi, ka votuar kryetari Mehmeti, nënkryetari Fatih Basha si dhe anëtarët Azra Desic, Luljeta Aliu-Krasniqi dhe Besnik Berisha.


