Personeli austriak i Ekipit për Asgjësimin e Mjeteve të Pashpërthyera (EOD) në kuadër të KFOR-it realizoi sot një shpërthim të kontrolluar dhe të suksesshëm në Kaçanik të një bombe që daton që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë Policia e Kosovës dhe FSK-ja.
KFOR-i nëpërmjet një komunikate kanë njoftuar se pajisja, me peshë 250 kg, u gjet më 26 prill nga banorët lokalë të zonës, pranë një lumi.
“Përgatitja dhe ekzekutimi i kësaj veprimtarie u kryen në përputhje me standardet ndërkombëtare, për të garantuar sigurinë e komunitetit lokal, nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Komandantit të KFOR-it, Gjeneral Major Enrico BARDUANI. Personeli i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ndoqi gjithashtu këtë aktivitet, si pjesë e trajnimit të tyre, në përputhje me mandatin e tyre fillestar”, thuhet në komunikatë.
Tutje, bëhet e ditur se Policia e Kosovës kishte rrethuar zonën, ndërkaq ekipet EOD përbëhen nga personel shumë të specializuar.
Ata ishin të trajnuar dhe të pajisur mirë për të trajtuar në mënyrë të sigurt mjetet e pashpërthyera dhe janë gjithmonë të gatshëm për t’u përgjigjur ndaj kërkesave për ndihmë në këtë fushë.
Lidhur me këtë edhe Policia e Kosovës ka lëshuar një njoftim për media.
“Më datë 02.05.2025, në ora 12:35 në fshatin Stagovë të Kaçanikut, në lagjen ‘Teneqja’, është realizuar me sukses eksplodimi i kontrolluar i një predhe të dyshuar si e mbetur nga Lufta e Dytë Botërore. Operacioni është kryer nga njësitë e KFOR-it, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, stacioni në Kaçanik”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Tutje, bëhet e ditur se për sigurinë e qytetarëve ishte vendosur një perimetër sigurie prej 1000 metrash përreth vendit të ngjarjes.
“Operacioni ka përfunduar dhe deri në këto momente nuk raportohet për ndonjë incident apo rrezik për banorët”, thuhet në njoftim.