olonia po planifikon të vendosë sanksione ndaj liderit serb të Bosnjës Milorad Dodik dhe kjo masë është duke u përgatitur, por ende nuk ka hyrë në fuqi, konfirmoi ambasada polake në Sarajevë.
Një pjesë e mediave lokale në Bosnje-Hercegovinë njoftuan se Dodik tashmë është nën sanksione, gjegjësisht se i ndalohet hyrja dhe kalimi tranzit përmes Polonisë, por kjo u pasua me një sqarim se një masë e tillë ende nuk ka hyrë në funksion.
Bëhet e ditur se ambasada polake njoftoi se procedura për vendosjen e sanksioneve ishte nisur për shkak të “shkeljes së rëndë të integritetit të Bosnjë-Hercegovinës nga Dodik, e cila njihet si subjekt i së drejtës ndërkombëtare”, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Iniciator i vendosjes së masave ndëshkimore ndaj Dodikut është ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Radosław Sikorski, dhe sqarimi i detajuar i vendimit do të publikohet pas përfundimit të procedurës dhe hyrjes në fuqi të ndalimit.
Në këtë mënyrë Polonia do të bashkohej me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Austrinë dhe Gjermaninë, të cilat e sanksionuan më herët Dodikun.
Raportohet se SHBA ishte e para që vendosi masa ndëshkuese ndaj Dodikut në dy raste, duke e sanksionuar atë për rrezikim të zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit dhe për korrupsion.
Ndryshe, bashkëpunëtorja më e afërt e Dodikut Zheljka Cvijanoviq është gjithashtu nën sanksionet e SHBA-së dhe Britanisë.
SHBA ka vendosur masa ndëshkuese edhe ndaj shumicës së zyrtarëve të tjerë të Republikës Srpska.