Zëvendëskryeministri dhe njëherësh kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi nesër do të udhëtoj për në Bruksel ku do të pritet në një takim nga Komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Vizita e Bislimit në Bruksel është bërë e ditur nga Komisioni Evropian.
Sipas njoftimit gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, Bislimi do të takohet edhe me zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian, Vĕra Jourová.
Arsyeja e kësaj vizite dhe temat që do të diskutohen në këto takime të Bislimit ende nuk dihen.
Hera e fundit që Bislimi qëndroi në Bruksel ishte për marrëveshjen për targa që u arrit pas tetë orësh takime me emisarin special të BE-së, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.
Dje Bislimi pohoi se emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak e ka dorëzuar të martën te kryeministri Kurti versionin e fundit të planit franko-gjerman.
Këto deklarata Bislimi i bëri kur është pyetur të martën gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, se përse nuk po bëhet publik plani.
“Diskutimi për planit franko-gjerman ka qenë tete-a-tete mes ekipit dhe z.Kurti, mes ekipit dhe z.Vuçiq. Dakordimi nuk ka qenë që diskutimi për planin franko-gjerman të jetë i mbyllur por përmbajtja e tekstit të mbahet konfidenciale. Nuk është dakordimi i tipit si po ia bëjmë. Na është thënë ose e diskutojmë planin me këto kondita ose nuk e diskutojmë dhe ju jeni pala që nuk dëshironi të përfshiheni”, ka thënë Bislimi.