Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është takuar me përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova në Rashkë, që gjendet në jug të Serbisë.
Në këtë takim, që është i hapur për publikun, po marrin pjesë edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, dhe ministra të tjerë serbë.
Presidenti serb foli edhe për mospjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, që mbahen më 23 prill. Ai u bëri thirrje qytetarëve në Kosovë që të jenë të bashkuar dhe të sillen sipas vendimeve që do të merren.
Vuçiq tha se Kosova është e interesuar që Serbia ta njohë atë de facto dhe de jure dhe se “ata nuk janë aspak të interesuar se kur do të krijohet Asociacioni” i komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Ata duhet të krijojnë konflikte me çdo kusht. Asnjëherë nuk duan të formojnë AKS-në apo e formojnë atë pa qenë asgjë. Ata thanë se duhet të ekzistojnë, e të bazohet në 5 rregulla. Një nga ato 5 rregulla është Kushtetuta e Kosovës. Ata nuk mendojnë t’i japin kompetenca ekzekutive”, ka theksuar Vuçiq.
Ai ka thënë se kishte insistuar në formimin e Asociacionit, porse është vendosur të mbahen zgjedhjet në veri pa e plotësuar këtë kusht.
“Ata nuk janë të interesuar se kur do të formohet vërtetë AKS-ja dhe në përputhje me këtë kanë organizuar zgjedhjet në veri, edhe pse i paralajmërova se AKS-ja duhet të formohet, sepse s’mund të bëhet pa ta. Serbët nuk do të kthehen në institucione pa këtë. Bazuar në 4 për qind të tyre që jetojnë në veri të Mitrovicës, duan të sigurojnë që Kurti të bëhet kryetar komune. Thonë se është e rëndësishme të ketë zgjedhje të ligjshme dhe për të gjithë këtë keni mesazh nga Perëndimi që thotë se nuk duhet të ndërhyjmë në këtë”, ka deklaruar Vuçiq.
Vuçiqi u ka bërë thirrje përfaqësuesve të serbëve të Kosovës të “qëndrojnë të bashkuar”.
“Unë e di se keni marrë vendim që të mos merrni pjesë në zgjedhje dhe ju bëjë thirrje të gjithë qytetarëve në Kosovë e M. që të jenë të bashkuar dhe që kur të merret një vendim të respektohet. Kurti do të jetë kryetar i juaji në Mitrovicë të Veriut. Marrëveshja e vitit 2015 shkruan se Republika e Serbisë ka të drejtë ta financojë AKS-në. E dini se çfarë do të thotë për popullin tonë?”, ka theksuar Vuçiq.
Ai ka folur për plagosjen e një serbi në veri të Kosovës këtë javë, ku për këtë rast janë arrestuar katër policë të Kosovës. Njëri prej tyre dyshohet se ka shtënë me armë zjarri.
“Kur e panë se nuk mund ta fshehin më, ata e pranuan krimin. Politika jonë duhet të jetë një përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet me shqiptarët. Fatkeqësisht, e di që ata nuk duan ta bëjnë dhe s’do ta bëjnë. Politika e tyre është vetëm na njihni apo mos na njihni”, ka thënë Vuçiq.
Në takim ka marrë pjesë edhe bashkëshortja e serbit të plagosur, e cila i bëri Vuçiqit pyetje.
“Kanë qëlluar mbi një njeri të pafajshëm dhe nuk është hera e parë që ndodh. Ishim milimetra larg që fëmijët e mi të mbeteshin pa baba dhe unë pa burrë. Pse na sulmuan? Çfarë po fshihnim ne”, ka pyetur ajo, duke shatur se ka filluar nënshkrimi i peticionit për “largimin e forcave speciale” nga veriu.
“Thuaju fëmijëve se babai do të kthehet së shpejti tek ata në shtëpi dhe i urojmë shërim të shpejtë. Ne gjithmonë përpiqemi të sigurohemi që të mos ketë gjak. Njerëzit nuk mund të durojnë më. Nëse do të formonim AKS-në, do t’i lusja njerëzit të ktheheshin në institucione sepse kjo do të kishte kuptim për qytetarët tanë, por kam mosbesim se do të formohet. Pashë refuzim nga gjithë bartësit e tyre. Do të kemi shumë probleme tjera, por ne do të luftojmë dhe do të përpiqemi t’i shpëtojmë njerëzit tanë”, tha Vuçiq.
Vendimi për zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës është marrë pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet në veri. Bashkimi Evropian dhe vendet e grupit QUINT – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania – kanë shprehur keqardhje pse Lista Serbe, nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje.


