Blerim Vela, këshilltar i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pretendimet se kinse Gjykata Kushtetuese do ta “rrëzojë” Presidenten, është një synim perfid për t’i bërë presion Gjykatës dhe për të krijuar huti në publik.
Ai përmes një postimi në Twitter, bën të qartë se Gjykata Kushtetuese është institucion i pavarur dhe ka detyrim të qartë ligjor për të ruajtur integritetin e vendimmarrjes gjyqësore.
Vela thotë se dezinformatat dhe propaganda që është duke u bërë gjoja duke u thirrë në “burime brenda Gjykatës”, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre që ndodhen në listën e zezë të ShBA-së.
Ai shton se çfarëdo skenari për të shkaktuar kriza institucionale në Kosovë dhe për ta nxjerrë nga binarët procesin e dialogut është vetëm skenar i vetë Serbisë.
Pra, sipas Velës, kjo është përpjekje për ndikim të vendimmarrjes gjyqësore dhe tentim puç ndaj institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës, dhe si e tillë do të dështojë.
Pretendimet se gjoja Gjykata Kushtetuese do ta “rrëzojë” Presidenten, është synim perfid për t’i bërë presion Gjykatës dhe për të krijuar huti në publik. GjK është institucion i pavarur, e cila ka detyrim të qartë ligjor për të ruajtur integritetin e vendimmarrjes gjyqësore.
— Blerim Vela (@Blerim_Vela) March 30, 2023
1/4