Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se gjendja në vend është shumë serioze dhe kritike si në aspektin e sigurisë po ashtu edhe në të gjitha arritjet që shteti i ka pasur që 20 vjet.
Ai ka thënë se duhet sinqeritet me qytetarët.
Ka shtuar se marrëveshja është përmbyllur në ditën kur është dakorduar dokumenti i parimit, duke theksuar se aneksi është pjesë integrale e një marrëveshjeje e cila i jep detyrime palëve Kosovës dhe Serbisë.
“Me këtë marrëveshje dialogu dhe diskutimi me Bashkimin Evropian do të vazhdojë me vite. Për ne kjo duhet të përdoret si mundësi e forcimit të shtetit të Kosovës. Ne duhet të kërkojmë që të përfshihet SHBA-ja dhe të jetë pjesë përbërëse. Çdo shkronje e aneksit çdo formulim mund të flasë potencialisht për negocim në mes të palëve. Është e rëndësishme që kryeministri të mos e humb qëllimin. Të mos e shfrytëzojë këtë proces si diskutim mes pozitës e opozitës por si një mundësi që të mos i ikë asnjë detaj”, ka thënë ai.
Ka thënë se e dinë që në dokument nuk është njohja reciproke, por ka shtuar se në ketë dokument synohet ajo.
“Kur flasim për aneksin, për AAK-në janë tri elemente që duhet të trajtohen çka nënkupton dhe ku përfundon fjala vetëmenaxhim. Asociacioni ka qenë në marrëveshje. Do të ishim në një fazë tjetër po të mos kishim eksperimentuar. Procesi padyshim duhet t’i shërbejë marrjes së njohjes nga pesë vendet. Shtrohet pyetja se si do të garantohen. Mbi këtë temë duhet të punohet”, ka thënë ai.