Rasti i dhunimit të një vajze 11-vjeçare nga pesë persona, e ka tronditur mbarë opinionin publik.
Andaj sot është duke u mbajtur një protestë në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës, kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, njofton KosovaNews.
KosovaNews mëson se protesta është iniciuar nga Xheraldina Rexhepi.
Një ngjarje e rëndë që tronditi gjithë Kosovën raportohet të ketë ndodhur tri ditë më parë në Prishtinë. Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, një femër, që tashmë është mësuar se është një vajzë vetëm 11 vjeçe, është dhunuar nga pesë persona.
Sipas raportit 24 orësh të policisë, dje thuhej se rasti ka ndodhur të shtunën rreth orës 17:30 dhe ka vazhduar deri në orët e mesnatës, raporton KosovaNews.

Dosja e Prokurorisë: 11-vjeçarja u dhunua në park përderisa ishte duke ecur
Në një park të kryeqytetit një vajzë e re 11-vjeçare përderisa ishte duke ecur ishte ndaluar e pastaj dhunuar seksualisht nga disa persona.
Kështu përshkruhet në dosjen e prokurorisë.
Ngjarja e rëndë pretendohet të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur.
Të tre personat ishin afruar tek e mitura dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prek me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.
Dosja e organit ndjekës tregon se të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.
Sipas përshkrimit të prokurorisë dhunimi kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart, pastaj kishte filluar ta dhunojë seksualisht.