Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, paraprakisht tha se janë dy kërkesa që ua ka përcjellë përfaqësuesve të KFOR-it dhe ambasadorëve të huaj në Prishtinë, në mënyrë që protestuesit serbë të tërhiqen nga ndërtesat e komunave në veri, ku edhe janë tubuar.
Komandanti i njësitit të KFOR-it që gjendet para Komunës së Zveçanit, është dakorduar me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, që të largohen dy autoblindat e njësitit special të Policisë.
Por, protestuesit nuk po largohen për të liruar rrugën.
Në ndërkohë siç raportohet Rakiq, kërkoi nga të tubuarit para ndërtesës së Komunës në Zveçan që të lëvizin, në mënyrë që të kalojnë dy automjete të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Të tubuarit nuk lejuan duke thirrur “tradhti”.
Kur ndaloi pranë mjetit të Njësisë Speciale, REL raporton se protestuesit hodhën shishe boshe në drejtim të tij dhe e goditën.
Policia e Kosovës më parë njoftoi se protestat pranë komunave veriore me shumicë serbe, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, janë duke vazhduar.
Sipas njoftimit, protestuesit në Zveçan kanë tentuar ta kalojnë kordonin policor pranë ndërtesës së komunës, “duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës”.
“Policia është detyruar t’i përdorë mjetet e ligjshme, si sprejin, për t’i ndaluar protestuesit dhe për ta vënë situatën nën kontroll”, thuhet në njoftim.
Policia, po ashtu, ftoi qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar gjatë thirrjeve të protestave.